08/09/2026
Kur ia dorzuam kët artikull Frok Çupit i cili drejtonte RD-në e Parë, na priti mua dhe Lazrin te zyra e improvizuar e shtypit, në katin e dytë të Rrugës Fortuzi...
Më kanë thanë fjalë shumë të mira për ju i tha, dhe me siguri do të shohim mundësinë e botimit...
Mbas një jave, na e ktheu shkrimin, me një fytyrë që nxinte dhe s'kishte gjetur asgjë të rëndësishme...
Kohë më vonë Lazri e takoi dhe i tha...
Pse nuk e dija unë çfarë demokrati je ti...
Kurse ai i tha, pse kujtoje ti se do ta gjesh vendin hapur këtu...
Kjo është me pak fjalë ideja pse Frrok Çupi ështëi gjithgjendëshëmm nëpër pushtete...
Jozef Radi
Dinamika e Demokracisë Shqiptare nga Dr. Lazër Radi (shkurt 1991)
Shprehja se "Shqipnia nuk ka tradita pluraliste e demokratike" më dha shtysë të shkruaj kët esse sqaruese...!
Atje, përtej maleve në jug, përtej Pindit, në Greqinë e lashtë, Atje, përtej maleve në jug, përtej Pindit, në Greqinë e lashtë, Demokracia, si nocion filozofik dhe si praktikë shoqnore, ka nji origjinë të hershme, shumë para erës kristiane. Grekët e vjetër jo vetëm e pagëzuen dhe i vunë emrin , si nocion filozofik dhe si praktikë shoqnore, ka nji origjinë të hershme, shumë para erës kristiane. Grekët e vjetër jo vetëm e pagëzuen dhe i vunë emrin Demokraci, por edhe e zbatuen gjer në at shkallë cilësore sa që ajo demokraci u ba model për gjithë njerëzimin. Në sistemin e tyne politik të demokracisë të gjithë njerzit gëzonin liri të plotë dhe të drejta të barabarta. Qytetarët e thonin fjalën e tyne lirisht për të gjitha çështjet, qofshin këto politike a shoqnore. Njeriu ndjehesh i lirë dhe i lejonte të tjerët ta gëzonin lirinë...
Demokraci Kanunore
Këndej Pindit, në malet që "kuvendojnë me qiellin", pa ditun as për filozofi e as për sociologji - ishin krijue vatra të vërteta të lirisë e të organizimit shoqnor të jetës në formën ma demokratike. Në këto treva të ashpra e të thyeme, pikërisht forca e traditës u ba shkak që të krijohen e të ruhen të pastra dhe të zhvillohen në mënyrë origjinale doket dhe zakonet tona. Kjo pastërti e virtytshme nuk u lind pa asnji arsye, por erdhi si pasjojë e mbështetjes në nocione etiko-morale në ritet, në doket, në besimet e popullit, në karakteristikat e psikologjisë etnike.
E kudo ku zhvillohet nji jetë e brendshme, ku krijohen marrëdhanie ndërnjerzore aty lind edhe nevoja të krijohen rregulla që të harmonizojnë bashkëjetesën e njerëzve. Me kalimin e kohës, këto venoma u konsakruan dhe morën nji fizionomi të përcaktueme duke u kthye në norma kanunore. Bazë e këtyne normave ligjore ishte nderi, burrnia, liria, besa dhe sidomos barazia midis njerëzve: "i miri dhe i keqi shkojnë nji për nji", siç thotë kanuni. Vlerësoheshin lart mbajtja e fjalës së dhanë, trimnia, mikpritja dhe sakrifica për t'i shërbye njeriut.
Fillimisht këto ishin vetëm norma me karakter etiko-moral, por ma vonë, u sanksionuen dhe u banë norma kanunore, u banë ligje të pashkrueme që rregullonin gjithë jetën e bashkësisë në mënyrë demokratike.
Simbas këtyne normave njeriu s’mund të dënohej me burg dhe as të gjymtohej d.m.th. të torturohej sepse kjo, sipas këtyne normave, ishte shkelje e parimit të lirisë, të ndjenjës së nderit të burrit dhe të fyemjes së dinjitetit njerzor. Nji koncept i till human nuk haset në asnji kanun të botës, të asnji fisi dhe të asnji bashkësie njerzore në asnji qoshe të globit. U deshën revolucione dhe shekuj, u deshën legjislacione të përsosuna për të arritun tek Karta e të Drejtave të Njeriut...
Po le të kthehemi tek kanuni i ynë.
Çështjet kryesore zgjidheshin duke ndigjue gjithë popullin; "Burrë për shtëpi". Pra krijohej nji parlament i vogël në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ç'demokraci e mrekullueshme ato kuvendet e maleve: burrat e bashkuem në kuvend rrishin në formën e gjysë rrethit për të pa e për ta ndigjue sa ma mirë njëni-tjetrin. Njëni, i ngarkuem nga kuvendi, paraqet arsyet e mbledhjes, pastaj, në rregull e disiplinë të vetëdijshme, gojtarët ma të mirë - pa dallim krenë, pleqë, stërpleq apo djelmni e vllaznive të fisit - paraqisin mendimet e tyne për zgjidhjen sa ma të drejtë të çështjes në diskutim. Pra, burrat e dheut, pa e ditun kuptimin filozofik të fjalës "demokraci", ishin vërtetë demokratë, pa e dijtun kuptimin politik të fjalës "pluralizëm", ishin pluralistë të vërtetë.
Ka raste në Kanunin tonë kur Kuvendet kanë marrë vendime të padrejta. Atëherë, thirrej sërishmi Kuvendi dhe rishqyrtonte çështjen. Kur vërtetohej anësi në gjykim, kuvendi i burrave, merrte masa kundra pleqve e bajraktarëve që kishin gjykue keq.
Për djelmninë, kanuni kishte nji konsideratë të “veçantë”. Djelmënia ishte krahu ma demokratik i mbledhjes dhe i jepte tonin bisedimeve të kuvendit.
Provat e para të demokracisë si shtet
Barka e pasigurt e shtetit shqiptar - në vitet mbas pamvarsisë - po notonte nëpër ujna të turbullta. Populli vazhdonte të ishte si i tulatun në at vorbull shqetësimesh politike e në at pasiguri përcaktimi të kufijve shqiptar. Por, ashtu i sakatosun, populli e ndjente nevojën për nji shtet kushtetues dhe ligjor. Ai ishte i vetëdijshëm se Kushtetuta asht themeli i nji shteti juridik. Por, kush do ta bante kushtetutën?
Mehmuret e Anadollit mendonin se në at lloj Shqipnie, siç ishte ajo e deri në vitin njizet; e vorfën, analfabete, pa kulturë politike, pa eksperiencë për fushatat elektorale, pa parti rivale, të pozitës dhe të opozitës - fushata e zgjedhjeve ose do të kthehej në "komedi elektorale" ose në "kasaphanë". Si njënën ashtu edhe tjetrën e konsideronin të mundëshme pikrisht sepse mungonte tradita politike...
Më 5 dhjetor 1920 u shpall "Ligji i Zgjedhjeve".
Si gjithmonë - kur Atdheu asht në rrezik - populli shqiptar di të gjejë forca të mjaftueshme për të npërballue dhe për t'i kapërcye vështirësitë. Ndonse pa eksperiencën e duhur politike, ajo fushatë zgjedhjesh pesë-mujore, qe nji mrekulli e vërtetë: mjeshtrat e politikës, të kulturës në përgjithësi e të asaj juridike në veçanti e të njohjes së parlamentarizmit modern europian, i vunë themele të shëndosha demokracisë shqiptare. Që në fillim u krijuen dy rryma politike: ata që përkrahnin platformën e Kongresit të Lushnjes dhe kundërshtarët e saj, pra grupi "popullor" në vijën e Kongresit dhe grupi "përparimtari" në opozitë.
Ma vonë, në grupin "popullor", filloi të fitojë nji randësi politike Ahmet Zogu. Doemos, korifejtë e demokracisë si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Gjergj Fishta, etj., etj., që i njihnin tendencat e “dorës së fortë” tek Zogu, nuk mund të pajtoheshin me të, kështu ata krijuen nji grupim të fuqishëm politik "opozitën".
Shqipnia, qysh në kët periudhë të foshnjërisë së saj si shtet i organizuem, hyni me titull të plot në rrugën e zhvillimit demokratik e shumëpartiak.
Lufta në Parlament - apo në Këshillin Kombëtar siç quhej atëherë - e grupit të opozitës mund të quhet vërtet nji periudhë e artë e demokracisë shqiptare. Kushtetuta e asaj kohe trajtonte, ndoshta për të parën herë në Ballkan, të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve. Edhe Parlamenti ishte unikal: fjalimet dhe replikat e Nolit, të Vinjaut e të Gurakuqit janë filipike të vërteta, janë "xhevahire" parlamentare sa që i detyruen ata të partisë "popullore" të mos dilnin në shesh, e të fshihen nga opinioni publik, vetëm e vetëm pse ishin kundërshtarë të demokracisë.
Nji tjetër provë demokratike u ba në gusht të vitit 1923.
Propozohej zgjedhja e Asamblesë Kushtetuese. Pikat e propozueme kishin karakter antidemokratik. Nji komision juristash, i përbamë në pjesën ma të madhe nga opozita demokratike, arriti të imponohej, përmes nji lufte të ashpër parlamentare!
Fushta e zgjedhjeve dhe diskutimi i ligjit i kapërceu muret e parlamentit. Opozita, ndonse në pakicë, por e zgjedhun, arriti të fusë në projekt ndryshimet dhe përmirësimet që ajo propozonte.
Më 30 shtator 1923, Parlamenti u shpërnda!
Opozita së bashku me organizatat demokratike filluen me zjarr fushatën elektorale. U krijuen grupime politike në formën e partive: "Partia Liberale", "Grupi demokrat", "Grupi as i pashës as i beut", "Grupi Xhoka" dhe në Shkodër "Ora e Maleve".
Edhe pse me mjaft mangësi të kulturës politike, ai qe nji pluralizëm i vërtetë politik.
Secili prej atyne grupimeve kishte programin e vet politik, por që të gjitha puqeshin në idenë kryesore: demokratizimi i aparatit shtetnor, votime të përgjithshme, direkte dhe të fshefta, garanci kushtetuese kundër vendosjes së çdo diktature personale, sigurimi i lirive demokratike, pamvarsia e gjykatave, garanci kushtetuese për përdorimin e mirë të të ardhunave të shtetit, lirinë e shtypit, të ndërgjegjes, etj.
Nuk asht e vërtetë se vendit tonë i mungon nji preçendencë demokratike. Qysh në hapat e parë, Shteti i ynë ende i brishtë e i pakonsoliduem dha prova se e donte demokracinë dhe se dinte ta përdorte at në mënyrë të kulturueme. Na mund të mburremi se në at kohë kemi patun shtetin pothuej ma demokratik të Ballkanit.
Edhe nën diktaturën e Zogut, patëm demokraci
Në fund të dhjetorit 1924 rierdhi në fuqi Ahmet Zogu. Në fillim President e ma mbas, më 1 shtator 1928, si Monark. U shpall si regjim "demokratik parlamentar" – por që në fakt ishte diktaturë e monarkut dhe e klikës së tij.
Të detyruem nga rrethanat politike dhe ekonomike si dhe për ta qetësue fermentimin e popullit, Ahmet Zogu u detyrue të hap nji dritare drejt demokracisë.
Më 21 tetor 1935, Kryeministër i Shqipnisë bahet Mehdi Frashëri. Në fakt, Mehdiu, gëzonte nji reputacion të mirë, gëzonte simpati si në qarqet intelektuale ashtu edhe tek rinia. Ai vinte nga shtypi, si publicist. Njihej si demokrat-liberal dhe ishte për reforma ekonomike dhe kulturore. Me nji fjalë ishte idhtar i lirive demokratike. Posa erdhi në fuqi lejoi lirinë e shtypit dhe të fjalës - duke përjashtue nga kjo liri vetëm kritikat kundër mbretit dhe familjes...
Na, dëshmitarët e asaj kohe, ndjehemi mirnjohës ndaj Mehdi Frashërit, sepse na dha mjaft liri të flisnim dhe të shkruenim për shumë çështje, të ashtuquajtuna tabu. Pikërisht në kët kohë, grupet e grupime të ndryshme, shfrytëzuen kushtet e reja, të krijueme nga kjo qeveri liberale për ta ndezun edhe ma tej luftën kundër regjimit.
Asht fakt i pamohueshëm se pikërisht në kët kohë vendi i ynë pati nji hop të vërtetë zhvillimi në fushën e kulturës dhe të artit. Krijimet ma të mira të kohës si, ato të Lasgush*t, Koliqit, Migjenit, Stërmillit e shumë të tjerëve mbajnë vulën e kësaj periudhe...
Qeveria jetëshkurtër e Mehdiut qëndroi në fuqi vetëm nji vit e shtatmbëdhjetë ditë, por që në konceptin e rezultateve ishte nji kohë e mjaftueshme për nji hop cilësor kultunor.
Pse u rrëzue qeveria e Mehdi Frashërit?
Arsyet mund të jenë të ndryshme, por unë mendoj se ai synonte që gjatë qeverisjes së tij të baheshin zgjedhjet parlamentare. Mendonte se në parlamentin e ardhshëm, deputetë dominues do të ishin "të rinjtë", kundërshtarët e "të vjetërve". Në nji parlament ku Mehdiu mendonte të kishte shumicën, do të mund të nxirrte ligje të reja, demokratike, liberale; duke u përpjekun që pa u ndjerë ta dobësonte disi pushtetin e fortë të monarkut. Po edhe Zogu, s’e kishte kollaj ta pranonte humbjen e parlamentit, pasi dobësohej fuqia e tij dhe mund të rrëzohej.
Zgjedhjet pra ishin nji lojë e rrezikshme për të!
Në kët kohë në duert e “të vjetërve” ra nji qarkore sekrete e Ministrisë Punëve të Brendëshme, dërgue prefekturave, ku u kërkohej të kontrolloheshin listat e kandidatëve për deputetë. Qarkorja u shpall në shtypin e "të vjetërve". Zogu u tremb! Detyrimisht u bashkue sërish me korin e “të vjetërve”, dhe kështu më 7 nëntor 1936, rrëzoi qeverinë e Mehdi Frashërit, duke e zëvendësue me elementa të krahut të vet. Zogu e vlerësonte mjaf randësinë e parlamentit. Në asnji mënyrë ai s’mund të lejonte që kjo instancë e lartë e legjislativit, t'i ikte nga dora.
Kështu, zgjedhjet parlamentare u banë shkaku i ranies së qeverisë së Mehdi Frashërit, të këtij Kryeministri demokrat e liberal.
Abuzimi i demokracisë
Demokracia asht nji sistem politik në të cilin pushteti ushtrohet nga populli nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe ku njerzit gëzojnë liri e të drejta të barabarta. Demokraci mund të ket vetëm atje ku ka pluralizëm, d.m.th. atje ku ka ma shumë se nji parti, ku ka grupe e forca shoqnore, botëkuptime e pikëpamje të ndryshme. Në të kundërtën nuk ka demokraci: ka diktaturë, sundim absolut të nji njeriu, ka nëpërkambje të të drejtave të njeriut, shkelje të lirive, etj., etj. Asht interesant fakti se pikrisht sundimet ma të egra e ma ç'njerëzore janë përpjekun të paraqiten me veshje demokratike, me etiketa nga ma tërheqëset dhe, nën maskën e këtyne bahen të gjitha shkeljet e ligjishmërisë, baheshin padrejtësitë ma të mëdha, ushtrohej dhunë dhe terror i paskrupullt. Aq shumë abuzonin këto regjime me fjalën demokraci sa e shtynin në inflacion: demokraci socialiste, ("tipi ma i lart i demokracisë"!), demokraci proletare, demokraci popullore, demokraci e klasës puntore, (diktatura e proletariatit - asht demokracia e vërtetë"), etj., etj.
Pra, nga kjo shihet se armiku ma i madh i demokracisë janë diktaturat e në mënyrë të veçantë diktatura e proletariatit... ku demokracia shëndrrohet në nji sllogan, në nji fasadë, për të fshehun thelbin e së vërtetës së saj.
Kontestim i nji përmendoreje
Sheshet plot gjelbërim dhe monumente janë dekoret që i japin gjallni nji qyteti. Skulptorët ma të mirë derdhin në bronx a në mermer artin e tyne, shpirtin e tyne. Monumentit dhe personazhet e historisë, kulturës, politikës vazhdojnë të jetojnë ndër shekuj nëpër këto sheshe. Që të jetë i përjetshëm nji personazh duhet të jetë thellë në zemrat dhe shpirtin e njerzve. Bamat e tij, sa ishte gjallë, duhet të kenë tërhequn simpatinë dhe dashuninë e bashkkohësve dhe ata, kët dashuni dhe mirënjohje ua transmetojnë brezave që vijnë në trajta krejt të natyrshme, ashtu siç di vetë dashunia: rrjedhshëm, pa sforcime, pa imponime, në mënyrë të veçantë pa dekrete të ngutshme!!!
Në seleksionimin e vet, historia e përcakton mirë - me gjykim të drejtë e gjakftohtë - veprën dhe vlerën e njeriut! Kur kjo vepër asht pozitive dhe ka nji vlerë mbarkombëtare, historia nuk kursehet, e nxjerrë edhe nga balta e heshtjes, dhe reflekton në trajtën ma tërheqëse, duke e paraqitun në tanë mashështinë e vet staturën reale historike të nji vepre dhe të nji njeriu.
Historia nuk ia "han hakun" askujt. Përkundrazi...
Nji personazh i tillë i ngritun në monument flet me pavdekësi: jeton Skënderbeu, jeton Çerçiz Topulli, jeton Mihal Grameno, jeton De Rada, jeton Naim Frashëri, jetojnë ndër monumente; po jeton edhe Ismail Qemali, edhe Fan Noli, edhe Gjergj Fishta megjithëse pa ndonji monument...
Ka raste kontestimesh: disa e pranojnë dhe e vlerësojnë pozitivisht nji personazh, disa të tjerë s’e pranojnë, pasi e vlerësojnë negativisht. Në kët rast, idhtarët e personazhit të kontestuem duhet të kenë kujdes, në mënyrë të veçantë kur këta janë në fuqi. Nji veprim i tyne i pamatun mund të shkaktojë irritim, zemrim dhe revoltë në popull. Krijohen kontraste që papritmas mund të shpërthejnë. Vetëm faraonët kanë patun aq fuqi sa të urdhnonin përsëgjalli ngritjen e varreve monumentale për veten e tyne, piramidat që kushtonin aq jetë njerzish...
Por, koha e Faraonëve ka vdekun!
E pashë rrëzimin e monumentit të diktatorit. Nji figurë e kontestueme edhe pse ata që e adhurojnë mitin e tyne nuk janë të pakët.
Në at përkulje të ngadaltë dhe përplasjen në tapetin e blertë, përcjellë nga ajo klithëm gëzimi e qindra mijra njerëzve - ndjeva përmbysjen e nji epoke, të nji periudhe gjysë shekullore që aq kobe i kishte sjellë këtij populli të shumëvuajtun... Njikohësisht, edhe reagimi i idhtarëve të tij nisi të marrë nji rrugë të rrezikshme. Tersiti - edhe i vdekun - sillte efektin e vet shkatërrues. Plaga nisi të mahisej përsëri...
Mençuri do të qe, që vlerësimi i nji vepre apo i nji njeriu të bahet përmes historisë, dhe jo përmes emocioneve. Le të jetë historia ajo që do ta thotë fjalën e fundit, pa marrë parasysh as simpatitë e as antipatitë e njerzve, as pasionet e ndezuna elektorale!
Historia mbetet gjykatësja ma e drejtë e veprave dhe njerëzve...
Nën samarin e frikës
Prej dhjetorit të ‘90-ës, nji puhi e freskët shprese, u derdh mbi vendin tonë. Janë erëna jetdhanëse, që i bajnë pemët të lulëzojnë e ma mbas të japin fruta, janë erëna që zhdavarisin letargjinë e njerëzve të strukun skutave për t’u përballue me vështirësitë e kohës, janë erëna që ripërtërijnë funksionet jo vetëm jetësore por edhe shpirtnore përkohësisht të fjetuna, të topituna...
Mitingjet, ishin tregues të ringjalljes shpirtnore, të shkundjes letargjike. Aty kishte solidaritet njerzor për të shprehun ndarjen nga e keqja dhe gëzim e dëshirë për të fitue, në qëllimet e tyne vërtet pozitive drejt së ardhmes. Për të evitue ekseset ato u organizue dhe u drejtuen me qetësi e mençuri
Me veprime të pamatuna dhe kur masa provokohet - krijohet momenti i konfuzionit dhe veprimi i pakontrollueshëm i masave i kthen në turma të përbindshme... Dihet se nji masë heterogjene e grumbullue qoftë edhe rastësisht krijon nji psikologji të vetën, dhe sado që të kontrollohet prej forcave të rendit publik, ajo vepron sipas ligjeve të veta. Në at grumbull njerzish mund të ketë edhe njerëz të kulturës e të arsimuem, por në at çast të caktuem ata bahen nji brum i vetëm, po aq i paarsyeshëm dhe veprojnë sipas psikologjisë së turmës. Nëse kjo masë njerzish kalon në ekses, ajo nuk mbahet ma! Kemi kaq shembuj: englezët në Belgjikës, në Hajsell, në at ndeshjen e famëshme Juventus-Liverpul, në eksesin e tyne shkaktuen nji tragjedi të vërtetë me shumë të vdekun. Kët masakër e kanë ba englezët. A mund të akuzohen englezët si nji popull i paqytetnuem dhe pa edukatë demokratike? Po në stadiumet italiane?
Në këto raste duhet patun kujdes, sidomos gjakftohtës
Tash së fundi janë ba modë "antimitingjet"!
Antimitingjet janë rezultat i nji pasioni kundërvanës. Prandaj, gjithsesi ato janë të rrezikshme. Antimitingjet e kohëve të fundit që u zhvilluen në viset e thella jugore ngjallën panik në popull dhe krijuen përshtypjen se me të vërtetë ndodheshim përballë nji konflikti të madh civil! Parulla: "Me gjak e fituam, pa gjak s’e lëshojmë" asht nga ma të përbindshmet. Nuk kishin mjaftue pesëdhjetë vjet gjak, duhesh akoma... Njerëz të tmerruem filluen të mendojnë "O burra të ikim nga ky vend, sa s’kemi lanë lëkurën..."
Eksodet e fundit për tokë e për det - përveç vorfnisë - tek kjo frikë e kanë kryesisht origjinën e tyne. Kundërvaniet që mund të përfundojnë në aksione të rrezikshme duhen evitue. Duhet t’u hiqen armët njerëzve që i mbajnë kot. Duhet ba nji punë serioze për ta zhdukun ndjenjën e frikës dhe fitimin e besimit ndaj institucioneve shtetnore.
Urrejtja si shkencë
Nji nga fatkeqësitë ma të mëdha të vendit tonë - nji kataklizëm e vërtetë (jo natyrore - ka qenë pikërisht kultivimi sistematik i urrejtjes. Nuk e besoj se në ndonji vend tjetër, të planetit stalinian - urrejtja të ketë arritun kulmet e veta aq sa të ngrihet në shkencë! Urrehet "armiku" (hipotetik) i klasave, urrehen fëmijtë e nipërit e tij deri në brezni të pasosuna, urrehet e vërteta, urrehet e drejta, urrehet ai që hesht po dhe ai që flet, urrehet prona, urrehet bota, urrehet zhvillimi, urrehet çdo njeri që dyshohet si nji kundërshtar i mundshëm në të ardhmen..
Në kaq pak njerëz kaq shumë urrejte, duket disi e pabesueshme...
A pritet ndonji e mirë nga nji vend që për dekada e dekada asht mëkue me kët qumësht të hidhët urrejtjeje
Nuk mund të ishte ndryshe. Vendi i ynë i sakatosun kaloi periudhën e vet ma të errët të dekandencës shpirtnore. Nji gja e tillë vërehej kudo: në ranien e vlerave të traditave tona ma të mira, në ranien morale, juridike, politike e kulturore. Zhdukja e fesë dhe shpallja e ateizmit shtetnor si kurs zyrtar i mbarëvendit, ka qenë vula themelore e kësaj dekadence. Gjithçka u ba materiale: u materializuen ndjenjat... deri edhe dashunia. A do të ketë forca të mjaftueshme ky popull aq i vuejtun ta shkulë me rranjë kët urrejtje të përbindshme dhe ta zavendësojë me dashuni njerzore? A do të mund të krijojë mirëkuptimin, sjellje fisnike dhe mirësi në veprimet e veta ky popull i përdhunuem barbarisht?
Në rend të parë duhet të luftojmë me veten tonë. Po nuk u përpoqëm të pastrohemi shpirtnisht - nuk do të mund t’i shpëtojmë kancerit të urrejtjes. Vetëm me synime të qarta, pa urrejtje në shpirt, pa ballkanizma çoroditëse do të mund t'i afrohemi Europës dhe të bahemi pjesë e denjë e saj.
Kultura e zgjedhjeve
Më 31 mars populli shqiptar shkon në votimet e para të lira dhe pluraliste. Në kët rast vetvetiu na bahet të pyesim: a do të dijë ky popull ta përdorë si duhet, me dinjitet dhe urtësi, pa eksese dhe i qetë at dhuratë hyjnore që ka në dorë: lirinë për të zgjedhun? A do të dijë ky popull të tregojë se diktatura dhe shtypja gjysë shekullore nuk e ka tulatun, por e kanë kalitun si hekurin në kudhër?
Mos të harrojmë se prozhektorët e globit i kanë drejtu mbi Shqipni. Bota do ta shohë me sytë e vet, për të parën herë kët popull, për të cilin ka ndigjue shumë, herë mirë e herë keq, por, ma shumë keq sepse e tillë ishte propaganda kundra vendit tonë.
I qetë dhe i vendosun do të shkojë në zgjedhjet. I armatosun me dy armë të fuqishme: dëshirën për të ndryshue dhe vullnetin për të kapun kohën e humbun. Pluralizëm s’do të thotë vllavrasje por, pikëpamje e paltforma të ndryshme, të cilat në fund konvergojnë në nji objektiv të vetëm: Të shkohet kah liria, demokracia dhe mirqenia për të gjithë.
Mbas zgjedhjeve duhet të përgënjeshtrohet mendimi që qarkullon se do të bahet masakër. Le të fitojë ajo parti që ka ma shumë mbështetje në popull. Nuk mund të fitojnë të gjitha partitë. Njëna do të fitojë. Partitë e tjera janë të detyrueme të njofin vullnetin e shumicës dhe t’i nënshtrohen bashkëpunimin me partinë fituese duke mbetun në opozitë. Nevojitet përpjekja e gjithë popullit për ta futun denjisisht vendin tonë në Europë, në at shtëpi të madhe, të përbashkët, pa kufij e pa shovinizma shkatërrimtare ballkanase.
Jam i bindun se ky popull - si kurdoherë në çastet e veta ma të vështira - do të dijë ta tregojë veten se asht liridashës, i qytetnuem dhe demokrat.
Dr. Lazër Radi
Sqarim: Ky artikull iu dha për botim kryeredaktorit të RD-së, Frrok Çupit, në fund të shkurtit 1991, gati nji muaj para zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991 në Shqipni. Mbas nji jave z. Çupi ma ktheu duke mos gjetun asgja të randësishme për botimin e këtij shkrimi të gjatë...
Dr. Lazër Radi