Këshilli i Lartë Gjyqësor

Directions Website

Këshilli i Lartë Gjyqësor KLGJ synon të ndërtojë, udhëheqë dhe qeverisë një gjyqësor me performancë të lartë.

VLERA THELBËSORE QË VLEJNË PËR TË GJITHË GJYQËSORIN
Pavarësia - KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të ndërtojnë një sistem gjyqësor që funksionon si një organ i pavarur, i pandikuar nga ndërhyrjet dhe i angazhuar ndaj sundimit të ligjit. Integriteti - KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të ndërtojnë një sistem të ndershëm gjyqësor që vepron në përputhje me parimet më të larta morale dhe etike dhe që gjithmonë përpiqet
të bëjë drejtësi. Profesionalizmi - KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të ndërtojnë një sistem gjyqësor, anëtarët e të cilit i zotërojnë të gjitha aftësitë e nevojshme për të përmbushur më së miri rolin e tyre. Paanshmëria - KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të trajtojnë të gjithë qytetarët si të barabartë përpara ligjit. Llogaridhënia - KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të garantojnë që të gjithë anëtarët e gjyqësorit janë të gatshëm të marrin përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre.

Në funksion të përmbushjes së synimeve dhe objektivave strategjikë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjatë kësaj jave, në ...
16/10/2026

Në funksion të përmbushjes së synimeve dhe objektivave strategjikë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjatë kësaj jave, në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u zhvilluan aktivitete dhe takimet e radhës të disa prej grupeve të punës të ngritura në kuadër të përmbushjes së synimeve dhe objektivave strategjikë të institucionit.

Në datën 12 tetor 2026, u zhvillua mbledhja e fundit e grupit të punës për Rishikimin e Numrit të Përgjithshëm të Gjyqtarëve. Gjatë këtij takimi u finalizuan propozimet për rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, shtimin e stafit, si dhe nevojën për infrastrukturën e përshtatshme për përballimin e kapaciteteve të nevojshme.

Gjithashtu, në datën 12 tetor 2026, u zhvillua mbledhja e fundit e grupit të punës për Përpunimin, Harmonizimin dhe Redaktimin e Propozimeve për Ndryshime Ligjore. Në përfundim të punës të këtij grupi pune u finalizuan propozimet për ndryshime ligjore në legjislacionin procedural dhe ligjet e reformës në drejtësi.

Në datën 13 tetor 2026, u zhvillua mbledhja e radhës e grupit të punës për Hartimin e një Udhëzuesi për Arsyetimin e Vendimeve në Përputhje me Udhëzimet e CEPEJ-it mbi Cilësinë e Debatit Gjyqësor dhe Thjeshtimin e Gjuhës. Në këtë mbledhje u prezantua përditësimi i draft-udhëzuesit me propozimet e administruara nga ky grup pune.

Më datë 15 tetor 2026, u zhvillua trajnimi i parë në kuadër të një cikli prej nëntë trajnimesh, të organizuara për zbatimin e Udhëzimit “Për referimin e ndërmjetësimit nga gjykata”, miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me vendimin nr. 287, datë 16.06.2026.
Trajnimi iu kushtua seksionit familjar të këtij Udhëzimi dhe u organizua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, me mbështetjen e projektit “SEE Mediation – Forcimi i Sistemeve të Ndërmjetësimit në Evropën Juglindore”, i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe i zbatuar nga CSSP – Berlin Center for Integrative Mediation, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve.

https://klgj.al/aktivitete/aktivitetet-e-keshillit-te-larte-gjyqesor-12-16-tetor-2026/

Sot më 15 tetor 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me kompaninë Microsoft, zhvilloi workshop-in me temë “In...
15/10/2026

Sot më 15 tetor 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me kompaninë Microsoft, zhvilloi workshop-in me temë “Inteligjenca Artificiale për Gjyqtarët”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Këshillit dhe të gjykatave të vendit. Aktiviteti, i cili zhvillua në mjediset e Këshillit, u fokusua në njohjen me zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale dhe mundësitë që ofron përdorimi i saj për modernizimin e proceseve të punës, rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e administrimit të veprimtarisë gjyqësore.

Gjatë workshop-it u trajtuan çështje që lidhen me konceptet themelore të inteligjencës artificiale, përdorimin e saj në analizimin dhe përmbledhjen e dokumenteve, organizimin dhe përpunimin e informacionit, automatizimin e detyrave administrative, si dhe mbështetjen e kërkimit dhe analizës ligjore. Nëpërmjet demonstrimeve praktike, pjesëmarrësit u njohën me mundësitë e zbatimit të këtyre teknologjive në punën e përditshme të gjykatave. Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të përgjegjshëm dhe të sigurt të inteligjencës artificiale, mbrojtjes së të dhënave personale, ruajtjes së konfidencialitetit, verifikimit të informacionit të gjeneruar dhe garantimit të pavarësisë gjyqësore e rolit vendimmarrës të gjyqtarit.

Organizimi i këtij aktiviteti është në funksion të nxitjes së inovacionit dhe forcimit të kapaciteteve profesionale në sistemin gjyqësor, në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe standardet ndërkombëtare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vijon angazhimin e tij për mbështetjen e transformimit digjital të gjykatave dhe promovimin e përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive të reja, me synim rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës së shërbimeve gjyqësore, në funksion të një drejtësie më të aksesueshme për qytetarët.


https://klgj.al/aktivitete/klgj-dhe-microsoft-zhvillojne-workshop-in-me-teme-inteligjenca-artificiale-per-gjyqtaret/

Sot, më datë 14.10.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet s...
14/10/2026

Sot, më datë 14.10.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli zhvilloi seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Lumturi Zhupa, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, dhe në përfundim të saj vendosi shpalljen e vendimit më datë 03.11.2026, ora 10:00.

Më tej, Këshilli vendosi për rrëzimin e kërkesës së kërkueses znj. Enkelejda Patrioti, për pezullimin nga shërbimi civil gjyqësor.

Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Gentian Hamiti.

Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Gentian Hamiti, në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimet për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për kandidatët:

- znj. Armela Hasantari, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 647, datë 31.10.2024;
- znj. Brunilda Kadi, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile të shpallur me vendimin nr.104, datë 27.02.2025.

Gjithashtu, Këshilli vendosi për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur me vendimin nr. 105, datë 27.02.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidaten znj.Brunilda Kadi.

Pas caktimit me short të relatorit dhe nëpunësit përgjegjës, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) e gjyqtarit z. Ervin Pollozhani që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 29.09.2026.

Në përfundim, Këshilli zhvilloi seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, dhe në përfundim të saj vendosi shpalljen e vendimit më datë 03.11.2026, ora 12:00.

https://klgj.al/njoftimepershtyp/njoftim-per-shtyp-date-14-10-2026/

Sot, më datë 13 tetor 2026, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit, z...
13/10/2026

Sot, më datë 13 tetor 2026, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit, z. Albens Tabaku, mori pjesë në seancën dëgjimore në kuadër të Kalendarit Tematik për Ushtrimin e Kontrollit Parlamentar Postlegjislativ lidhur me miratimin e akteve nënligjore dhe nivelin e zbatimit të ligjeve të miratuara (periudha 2021–2025), Komponenti III “Institucionet dhe Agjencitë e Pavarura”, zhvilluar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Nga ana e z. Rusi u prezantua një raport mbi miratimin dhe zbatimin e akteve nënligjore të Këshillit të Lartë Gjyqësor për periudhën 2021–2025, së bashku me argumentet përkatëse.

Gjatë seancës dëgjimore, gjithashtu, Kryetari i KLGJ-së iu përgjigj interesimit dhe pyetjeve të deputetëve, duke ofruar sqarime mbi çështje që lidhen me tematikën e raportimit, si dhe mbi çështje të aktualitetit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional, transparent dhe në shërbim të qytetarëve.

https://klgj.al/aktivitete/klgj-merr-seancen-degjimore-per-kontrollit-parlamentar-postlegjislativ-ne-komisionin-per-nismat-qytetare-bashkepunimin-dhe-mbikeqyrjen-institucionale/

Sot më 7 tetor 2026, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, priti në një takim Kryetarin e Prezencës së O...
07/10/2026

Sot më 7 tetor 2026, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, priti në një takim Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Michel Tarran, i cili shoqërohej nga zyrtarë të lartë të Prezencës së OSBE-së.

Gjatë takimit u zhvillua një bashkëbisedim i hapur dhe konstruktiv mbi çështje me interes të përbashkët, me fokus zhvillimet dhe sfidat që lidhen me sistemin e drejtësisë, si dhe çështje të tjera që lidhen me aktualitetin.

Ambasadori Tarran parashtroi për diskutim një sërë çështjesh me interes për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor, duke vlerësuar rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit institucional.

Kryetari Rusi e informoi Ambasadorin Tarran mbi zhvillimet më të fundit në sistemin gjyqësor dhe mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor në përmbushje të përgjegjësive të tij kushtetuese dhe ligjore. Në këtë kuadër, u diskutua edhe mbi rolin e Këshillit në garantimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, si dhe mbi përpjekjet për forcimin e mëtejshëm të standardeve të drejtësisë.

Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin për rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri si dhe faktorëve të tjerë, në mbështetje të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

https://klgj.al/aktivitete/kryetari-i-keshillit-te-larte-gjyqesor-priti-ne-takim-ambasadorin-e-prezences-se-osbe-se-ne-shqiperi/

Sot, më datë 07.10.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet s...
07/10/2026

Sot, më datë 07.10.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit z. Laurent Fuçia për periudhën 2017 – 2019 si dhe raportin e vlerësimit etik dhe profesional, me qëllim gradimi, të gjyqtares znj. Iliba Bezati, për periudhën e vlerësimit 2013-2016.

Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin znj. Dejvi Çelçima në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.

Këshilli vendosi për një ndryshim në listën e kandidatëve për magjistratë dhe gjyqtarëve udhëheqës të caktuar me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 432, datë 31.07.2026.

Gjithashtu, Këshilli vendosi për miratimin e kërkesës së gjyqtarit z. Aulon Pashaj për dhënie leje të papaguar.

Këshilli vendosi për përjashtimin e gjyqtares znj. Klodiana Veizi nga procedurat e ndarjes së çështjeve gjyqësore me short.

Më tej, Këshilli vendosi për caktimin e seancës dëgjimore në datën 23.10.2026, ora 10:00, për shqyrtimin e procedimit disiplinor të filluar ndaj magjistrates znj. Ajshe Xhafa, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtares znj. Etleva Gjamo.

Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtares të skemës së delegimit znj. Etleva Gjamo, në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datave 15.09.2026 dhe 17.09.2026.

Në përfundim, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për kualifikimin për emërim të kandidates së diplomuar në shkollën e magjistraturës, znj. Elsona Fezollari” / “Për skualifikimin dhe refuzimin për emërim të kandidates së diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, znj. Elsona Fezollari”.

https://klgj.al/njoftimepershtyp/njoftim-per-shtyp-date-07-10-2026/

Sot më datë 5 tetor 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me CSSP – Berlin Center for Integrative Mediation dh...
05/10/2026

Sot më datë 5 tetor 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me CSSP – Berlin Center for Integrative Mediation dhe Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve, zhvilloi tryezën e rrumbullakët për prezantimin e Udhëzimit “Për referimin e ndërmjetësimit nga gjykata” dhe lançimin e ciklit të trajnimeve për gjyqtarët.

Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe u organizua në kuadër të projektit “SEE Mediation – Forcimi i Sistemeve të Ndërmjetësimit në Evropën Juglindore”, i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Udhëzimi, i miratuar nga KLGJ me vendimin nr. 287, datë 16 qershor 2026, përcakton rregulla të unifikuara për referimin e çështjeve në ndërmjetësim, si dhe qartëson rolin e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.

Në fjalën e tij, Kryetari i KLGJ-së, z. Ilir Rusi, tha se Udhëzuesi u jep palëve mundësinë të marrin pjesë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, të kursejnë kohë dhe kur është e mundur, të ruajnë edhe marrëdhëniet mes tyre. Ai vlerësoi gjithashtu se ndërmjetësimi mund të kontribuojë në uljen e ngarkesës së gjykatave.

Z. Rusi nënvizoi rëndësinë e vullnetit të lirë, informimit të qartë dhe konfidencialitetit, duke theksuar se gjyqtari administron procesin e referimit, pa ndërhyrë në negociatat mes palëve.

Më tej kryetari i Këshillit, tha se Kujdes i veçantë kërkohet në çështjet familjare dhe në ato që përfshijnë të mitur. Sipas tij, interesi më i lartë i fëmijës, siguria dhe mundësia reale për të shprehur vullnetin e lirë duhet të udhëheqin vlerësimin.

Gjatë aktivitetit u prezantuan edhe mënyrat e zbatimit të Udhëzimit në çështjet civile, penale dhe administrative, ndërsa u lançua cikli i trajnimeve për gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe administrative.

Trajnimet synojnë të mbështesin zbatimin praktik të Udhëzimit, shkëmbimin e përvojave dhe konsolidimin e praktikave të njëjta në gjykata.

https://klgj.al/aktivitete/klgj-prezanton-udhezimin-per-referimin-e-ndermjetesimit-nga-gjykata/

Sot, më datë 5 tetor 2026, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes s...
05/10/2026

Sot, më datë 5 tetor 2026, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik 2026–2027 të Shkollës së Magjistraturës.

Në këtë ceremoni, e cila shënon fillimin e një etape të re të formimit profesional për brezin e ri të profesionistëve të drejtësisë, Kryetari z. Ilir Rusi përcolli një mesazh përshëndetës për kandidatët për magjistratë, kandidatët për Avokatë të Shtetit dhe kandidatët për ndihmës ligjorë.

Në fjalën e tij, Kryetari i KLGJ-së vlerësoi rolin e veçantë të Shkollës së Magjistraturës në formimin profesional dhe etik të brezave të rinj që do t’i shërbejnë drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
“Sot nuk hapet thjesht një vit i ri akademik. Për secilin prej jush nis një etapë e re e formimit dhe e rrugëtimit profesional”, u shpreh z. Rusi, duke theksuar se, pavarësisht funksionit që do të ushtrojnë në të ardhmen, profesionalizmi, integriteti, përgjegjshmëria dhe respekti për ligjin duhet të jenë themelet e karrierës së tyre.

Kryetari i KLGJ-së nënvizoi se të qenit profesionist i së drejtës nuk lidhet vetëm me zotërimin e njohurive juridike, por edhe me aftësinë për t’i ushtruar ato me paanshmëri, maturi, etikë dhe përgjegjshmëri, duke pasur gjithmonë në vëmendje qytetarin dhe interesin publik.

Duke iu drejtuar veçanërisht kandidatëve që do të ushtrojnë funksionin e magjistratit, z. Rusi theksoi rëndësinë e pavarësisë dhe paanshmërisë në përmbushjen e misionit të tyre.

“Pavarësia e gjyqësorit nuk është vetëm një parim kushtetues. Ajo është edhe një përgjegjësi individuale dhe profesionale.”

Sipas Kryetarit Rusi, kjo përgjegjësi kërkon aftësinë për të gjykuar dhe vendosur pa u ndikuar nga presioni, interesat apo pritshmëritë e të tjerëve, duke mbajtur si pikë referimi ligjin, Kushtetutën dhe ndërgjegjen profesionale.

Në fjalën e tij u veçua gjithashtu rëndësia e rolit të kandidatëve për Avokatë të Shtetit dhe ndihmës ligjorë, puna e të cilëve do të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e funksionimit të institucioneve dhe e mirëadministrimit të drejtësisë.

Kryetari i KLGJ-së i inkurajoi studentët që periudhën e formimit në Shkollën e Magjistraturës ta shohin jo thjesht si një etapë për përfundimin e studimeve, por si një mundësi për të ndërtuar themelet e një karriere të gjatë dhe të përgjegjshme.

“Drejtësia nuk kërkon vetëm profesionistë që e njohin ligjin. Ajo kërkon profesionistë që dinë ta interpretojnë dhe ta zbatojnë atë me përgjegjshmëri, që kuptojnë pasojat e vendimeve dhe që janë të vetëdijshëm për besimin që shoqëria vendos tek institucionet e drejtësisë.”

Z. Ilir Rusi vlerësoi punën dhe përkushtimin e drejtuesve dhe pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës, duke theksuar se çdo leksion, diskutim, këshillë profesionale dhe standard i përcjellë te studentët përbën një kontribut të drejtpërdrejtë në cilësinë e drejtësisë dhe të shërbimit publik në të ardhmen.

Ai nënvizoi se, në Këshillin e Lartë Gjyqësor, formimi i brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë konsiderohet një investim i rëndësishëm për të ardhmen e sistemit të drejtësisë.

“Një sistem drejtësie i qëndrueshëm dhe i besueshëm nuk ndërtohet vetëm përmes reformave, institucioneve apo infrastrukturës. Në themel të tij janë njerëzit.”

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari z. Ilir Rusi u uroi kandidatëve një vit akademik të suksesshëm dhe një rrugëtim të frytshëm profesional, duke i inkurajuar të ruajnë integritetin dhe përkushtimin ndaj misionit të tyre.

“Autoriteti që vjen nga detyra është i rëndësishëm, por besueshmëria ndërtohet përmes profesionalizmit, etikës dhe integritetit.”

Në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kryetari z. Ilir Rusi uroi brezin e ri të profesionistëve për një karrierë të gjatë, të ndershme dhe dinjitoze në shërbim të drejtësisë, institucioneve dhe qytetarëve.


https://klgj.al/aktivitete/kryetari-i-klgj-se-ilir-rusi-formimi-i-brezit-te-ri-te-profesionisteve-te-drejtesise-eshte-investim-per-te-ardhmen-e-sistemit/

Gjatë kësaj jave, në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u zhvilluan takimet e radhës të disa prej grupeve të punës ...
02/10/2026

Gjatë kësaj jave, në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u zhvilluan takimet e radhës të disa prej grupeve të punës që funksionojnë në kuadër të përmbushjes së synimeve dhe objektivave strategjike të institucionit.

Në datën 28 shtator 2026, u zhvillua mbledhja e grupit të punës për Hartimin e Udhëzuesit për Gjykatat për Dërgimin e Çështjeve për Ndërmjetësim, ku u diskutua mbi organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve trajnuese, si dhe mbi planifikimin dhe organizimin e aktivitetit të lançimit të Udhëzuesit.

Në vijim, në datën 28 shtator, u zhvillua takimi i radhës i Komisionit Ad Hoc për monitorimin e zbatimit të Udhërrëfyesit për Efikasitetin e Pushtetit Gjyqësor në Shqipëri 2025–2027. Në këtë mbledhje u raportua mbi progresin e zbatimit të Udhërrëfyesit, si dhe u caktuan detyrat për objektivat që duhen përmbushur në përputhje me afatet e parashikuara.

Në datën 30 shtator 2026, u zhvillua mbledhja e grupit të punës për Rishikimin e Numrit të Përgjithshëm të Gjyqtarëve. Gjatë këtij takimi u prezantua analiza përfundimtare mbi kapacitetet e nevojshme për rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve. Krahas nevojës për shtimin e numrit të gjyqtarëve, nga analiza e paraqitur u evidentua edhe nevoja për shtimin e stafit, si dhe nevoja për infrastrukturën e përshtatshme për përballimin e kapaciteteve të nevojshme.

Gjithashtu, në datën 30 shtator 2026, u zhvillua mbledhja e grupit të punës për Hartimin e Një Udhëzuesi për Arsyetimin e Vendimeve në Përputhje me Udhëzimet e CEPEJ-it mbi Cilësinë e Debatit Gjyqësor dhe Thjeshtimin e Gjuhës. Në këtë mbledhje, u mor në shqyrtim drafti paraprak i Udhëzuesit dhe u diskutua lidhur me përmbajtjen dhe strukturën e materialit, si dhe u paraqitën sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të tij.

Në vijim, në datën 02 tetor 2026, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit të Punës për Përpunimin, Harmonizimin dhe Redaktimin e Propozimeve për Ndryshime Ligjore. Në këtë mbledhje u diskutuan propozimet në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

https://klgj.al/aktivitete/takimet-e-grupeve-te-punes-te-klgj-se-28-shtator-02-tetor-2026/

Sot, më datë 29.09.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet s...
29/09/2026

Sot, më datë 29.09.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Suela Lika, për periudhën 2021-2023 si dhe raportin e vlerësimit etik dhe profesional

të gjyqtares znj. Migena Laska, për periudhën 2020-2024.

Pas caktimit me short të relatorit, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr. 324-329, datë 14.07.2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi pezullimin nga shërbimi civil gjyqësor të znj. Enkelejda Patrioti”.

Këshilli miratoi vendimin për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. Monika Laçi.

Gjithashtu, Këshilli vendosi për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën Administrative të Apelit, z. Artmir Krasniqi.

Përmes procedurës tjetër të shortit, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) e gjyqtares znj. Blerina Muço që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Më tej, Këshilli vendosi për refuzimin e kërkesës së gjyqtares znj. Semiramis Hoxholli për përjashtimin e relatores znj. Gentiana Muçaj nga procedura e vlerësimit.

Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 3/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Ajshe Xhafa, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datave 21.08.2026, 26.08.2026 dhe 28.08.2026.

https://klgj.al/njoftimepershtyp/njoftim-per-shtyp-date-29-09-2026/

Address

Rruga Ana Komnena, Shqipëria
Tirana
1031

Opening Hours

Monday 08:00 - 16:30
Tuesday 08:00 - 16:30
Wednesday 08:00 - 16:30
Thursday 08:00 - 16:30
Friday 08:00 - 14:00

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Këshilli i Lartë Gjyqësor posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Sponsored

Share

Category