14/06/2023
Na ishte njeherë Mbreti i Anglisë, duke shëtitur në mbretërinë e vet ishullore. Diku pranë një pylli të dendur dhe liqeni të mrekullueshëm, sheh një çiflig, i cili i pëlqeu shumë sapo e pa nga larg. Ndalon karrocën mbretërore, me të cilën po udhëtonte dhe porosit shoqëruesit e vet: – “Shkoni te fshatari pronar i këtij çifligu dhe kërkojani që të ma shesë pronën e tij”.
Zbresin shoqëruesit, takojnë fshatarin dhe i shprehin kërkesën për t’ia blerë çifligun, pa i thënë se për atë pronë interesohej vetë Mbreti. Fshatari thjeshtë dhe drejtpërdrejtë përgjigjet: - “Ju faleminderit zotërinj, por unë nuk kam pronë për të sh*tur!”
Kthehen shoqëruesit te Mbreti dhe i përcjellin refuzimin e fshatarit për të sh*tur pronën e tij. “Mirë, – thotë Mbreti, – shkoni përsëri dhe i thoni se për pronën e tij interesohet ta blejë vetë Mbreti i Anglisë, kështu që ta vendosë çmimin e pronës së vet aq sa do të dojë ai, d.m.th., i ofrojmë një çmim blerjeje mbi kushtet e tregut”.
Shoqëruesit shkojnë përsëri të fshatari, i bëjnë ofertën e re, dhe marrin përgjigjen refuzuese: -“Ju faleminderit zotërinj, nuk kam pronë për të sh*tur me asnjë lloj çmimi as për Mbretin e Anglisë”.
Kthehen shoqëruesit te Mbreti dhe i përcjellin refuzimin e fshatarit për të sh*tur pronën e tij.
“Mirë, – thotë Mbreti i inatosur nga refuzimi i përsëritur i fshatarit – shkoni përsëri dhe i thoni që do të bënte mirë që të pranonte ofertën e dytë ose do ia sekuestroj pronën. Shoqëruesit shkojnë për herë të tretë te fshatari dhe i përcjellin kërcënimin për ta sh*tur me të mirë pronën, se në të kundërt ai do ta humbiste fare atë…
Pa u menduar dy herë, fshatari dha këtë përgjigje që ka zënë vend në shekujt që pasuan për ligjërimin dhe shenjtërimin e pronës private kudo në botën e qytetëruar: -“Do ta sekuestrojë?! E punë e madhe, do ta çoj çështjen në Gjykatë”…
Historia thotë se mbasi mori këtë përgjigje nga fshatari, Mbreti hoqi dorë nga ambicia për ta zotëruar me çdo çmim çifligun në fjalë sepse do të ishte një çështje gjyqësore e humbur duke thënë: - “Sot është dita më e lumtur e jetës sime, kuptova se sundoj një vend ku qytetarët besojnë më shumë te drejtësia sesa te Mbreti”.
E fillova me “Na ishte njwherw” mendimin, pwr tw theksuar se duhet tw jetw pwrherw, pasi Prona është institucioni ekonomik më I rëndësishëm për secilën shoqëri dhe prona private është institucioni I çdo shoqërie të lirë.
Historia e pronës në Shqipëri është plagë kombëtare. Sot në 2023 konflikti I pronës private është akoma I hapur. Vendi ynë vjen nga një historik dhune mbi pronën private dhe si të mos mjaftonte periudha e sistemit monist, sistemi pasardhës prodhoi ligjin 7501 për pronën private, ligj I cili njëzëri pranohet se është një dështim total, I prodhuar qëllimisht. Pas vijuam me legalizimet ku me fjalë të trasha ligjëruam pushtuesin e pronës private/publike.
Tani dua të ndalem pak te ligji 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Pas shumë ankesave tw klientwve tw mi, të banorëve të Qarkut Shkodër, dua të them dy fjalë për ngërçin e krijuar për kalimin e titujve të pronësisë për tokat bujqësore në këtë zonë.
Ḉfare thotë ligji 20/2020?
Neni 12
Në bazë të nenit 12 përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që kanë plotësuar këto kushte:
a) Janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim.
b) Subjekte përfituese janë edhe punonjësit e ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre apo që nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish- ndërmarrjeje bujqësore tjetër.
c. “Përfitues janë edhe ata që deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë paraqitur kërkesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për t`u pajisur me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, pavarësisht nëse janë pajisur ose jo me aktin e marrjes së tokës në përdorim,
ç. janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.”
Ne 2020 iu bë thirrje kategorive të listuara ne nenin 12, te bënin kërkesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për t`u pajisur me AMTP, sipas procedurës të parashikuar në ligj dhe vendimit nr 1182, dt 24.12.2020 “Për miratimin e rregullave të lëshimit të akteve të kalimit në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore dhe modelit të aktit individual të kalimit të pronësisë të tokës bujqësore”.
Sot pas 3 vitesh nga aplikimi, banorët e qarkut Shkodër, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje për tokën e tyre bujqësore. Prej disa vitesh kësaj kategorie I është mohuar e drejta e përfitimit nga skema e financimit për nbeshtetjen e bizneseve bujqësore të AZHBR. Sikur të mos mjaftonte cënimi I të drejtës së marrjës së pronësisë, kjo kategori nuk ka fuqi ekonomike të zhvillojë projektin e vet bujqësor në tokën e vet bujqësore; për pasojë nuk hap as niptin e fermerit, duke sjellë një kolaps në zinxhirin social por sidomos ekonomik.
Kam dëgjuar sëfundmi për krijimin e një Task Force për:
a) identifikimin e problematikave në lidhje me zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi për tokat bujqësore në përdorim, pa titull pronësie;
b) hartimin e planit të veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës;
c) koordinimin ndërmjet institucioneve qendrore, vendore, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përdoruesve faktikë të tokës bujqësore, në funksion të zgjidhjes përfundimtare të problematikave.
Duke besuar se Task Forca do I japi drejtim bllokimit të zbatimit të ligjit 20/2020 dua të theksoj se ka ardhur koha ta çojme pronën tek pronari, pasi prona është e lidhur direkt me shpirtin e njeriut.
Nëse historia na mëson dicka është se prona private është e lidhur ngushtë me qytetërimin. Le të hedhim themele qytetërimi, është koha!
Av. Uarda Albunesa Gjekaj