19/10/2025
Është e turpshme që një avokat arrestohet duke bërë detyrën. Kjo audio rrëzon Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën sepse nxjerr zbuluar pisllëqet që bëhen çdo ditë në kurriz të qytetarëve.
Avokati i nderuar Ulian Barjami është arrestuar vetëm sepse konstatoi në sallë të gjyqit një falsifikim, gjë të cilën duhet ta kishte bërë gjykata në mënyrë të menjëhershme.
Është e drejta dhe detyrimi i çdo avokati të konstatojë dhe të thotë hapur në sallën e gjyqit mendimin mbi provat, cilësimin e tyre dhe përcaktimin sipas mendimit të avokatit të personave përgjegjës për fabrikimin e provave, por mbi të gjitha është e drejta e kujtdo që të shprehë rrugën ligjore që do ndjeki në të tilla raste, kur shikon që gjykata nuk reagon.
Nuk duhet lënë pa përmendur fakti që ne avokatët thirremi me qindra raste në prokurori për prova që konsiderohen të falsifikuara. Kjo gjë ndodh sepse prokuroria do të gjejë përgjegjësin. Të njëjtën gjë ka bërë dhe avokati Ulian Barjami, por në ndryshim me prokurorinë, ai u arrestua. Kjo është pabarazia e armëve në procesin gjyqësor.
Ky është një turp për Shtetin Ligjor dhe për Drejtësinë.